Secondary Adv

Resortet me rregulla të reja, vendimi: Si ndryshon kategorizimi për strukturat turistike

Qeveria miraton kategorizimin e ri të strukturave turistike, me 11 kategori dhe kritere të reja për resortet miks.

Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim të ri për klasifikimin e strukturave akomoduese turistike, duke përcaktuar 11 kategori dhe kritere të reja për funksionimin e tyre. Ndryshimet përfshijnë bujtinat, fjetinat, kampingjet, hotelet, motelet, resortet, qendrat kurative, strukturat “fjetje dhe mëngjes”, apart-hotelet dhe strukturat akomoduese të trashëgimisë kulturore. Në klasifikimin e ri përfshihet edhe resorti miks, si nënkategori e resortit për qëllime të certifikimit paraprak.


Vendimi synon të përcaktojë rregulla të qarta për kategorizimin e strukturave turistike, duke vendosur kërkesa specifike për projektet e reja që ndërthurin funksionin e akomodimit turistik me atë rezidencial. Një nga ndryshimet kryesore lidhet me mënyrën e trajtimit të apartamenteve, vilave dhe dhomave që ofrohen për akomodim turistik brenda këtyre projekteve.


Apartamentet dhe vilat turistike nuk do të kategorizohen më veçmas

Sipas vendimit të ri, në projektet e reja, apartamentet, vilat dhe dhomat që përdoren për akomodim turistik nuk do të kategorizohen më si njësi të veçanta. Ato do të përfshihen në komponentin turistik të resortit dhe do të funksionojnë nën një administrim të përbashkët. Kjo do të thotë se njësitë akomoduese brenda një resorti duhet të jenë pjesë e një strukture të organizuar dhe të menaxhuar në mënyrë të unifikuar.


Ndërkohë, banesat që ndodhen jashtë një strukture të tillë nuk mund të ofrohen për akomodim turistik pa u përfshirë në një projekt që plotëson kriteret e kategorisë resort, sipas përcaktimeve të vendimit.


Resortet miks, të paktën 60 për qind e sipërfaqes për funksion turistik

Një nga kërkesat kryesore të vendimit lidhet me raportin ndërmjet funksionit turistik dhe atij rezidencial në resortet miks. Sipas rregullave të reja, komponenti turistik duhet të përbëjë të paktën 60% të sipërfaqes totale të ndërtimit, ndërsa pjesa rezidenciale nuk mund të tejkalojë 40% të saj.


Në përllogaritjen e këtij raporti do të përfshihen edhe ambientet dhe infrastruktura e përbashkët e resortit, në varësi të përdorimit të tyre. Këto kritere do të zbatohen për projektet që kombinojnë akomodimin turistik me njësitë rezidenciale, duke përcaktuar peshën që duhet të ketë secili funksion në sipërfaqen totale të ndërtimit.


Certifikatë paraprake përpara miratimit të lejes së ndërtimit

Vendimi vendos gjithashtu detyrimin për pajisjen me certifikatë paraprake kategorizimi përpara miratimit të lejes së ndërtimit. Ky dokument do të lëshohet nga ministria përgjegjëse për turizmin dhe do të shërbejë për të konfirmuar përputhshmërinë e projektit me kategorinë e propozuar të strukturës akomoduese.


Certifikimi paraprak do të jetë pjesë e procedurave që duhet të ndjekin zhvilluesit e projekteve të reja turistike, për të siguruar që struktura e planifikuar përmbush kriteret e kategorizimit përpara se të marrë miratimin për ndërtim.


Për strukturat turistike që janë pajisur më herët me certifikatë kategorizimi, vendimi parashikon ruajtjen e vlefshmërisë së dokumenteve ekzistuese. Në këtë mënyrë, certifikatat e lëshuara përpara hyrjes në fuqi të rregullave të reja do të vijojnë të jenë të vlefshme, sipas përcaktimeve të vendimit.

Burimi: Scantv


Më të lexuarat